image Lajçak: Bislimi më tha se nuk ka arkiva të UÇK-së

Kosovë

Lajçak: Bislimi më tha se nuk ka arkiva të UÇK-së

news image

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak ka thënë se në takimin e fundit mes Bislimit dhe Petkoviqit që ka ngjallur interesim rreth temës së arkivave, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por arkiva shtetërore të Kosovës.

“Nuk ka pasur diskutime specifike për arkivat, ka pasur rikonfirmim se nuk do të ketë pengesa nga palët për të pasur kyçje në arkiva kjo është çfarë është thënë edhe para një viti. Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkivë shtetërore të Kosovës”, tha Lajçak.

Ai refuzoi të komentoj deklaratën e kryeministrit Kurti për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

“Nuk do të komentoj në deklarata të askujt sepse jemi këtu të normalizojmë marrëdhëniet dhe nuk bëj asnjë koment publik për këtë”, tha ai.

Diplomati sllovak tha poashtu se është e rrezikshme të flitet se kur do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes palëve.

“Ne diskutuam për datat e mundshme të takimit të ardhshëm me zyrtarët shtetërorë të Kosovës për të cilat do t’i diskutoj edhe në Beograd.  Është e rrezikshme të flitet për një afat kohor të arritjes së marrëveshjes, çfarë është e rëndësishme është se dy palët janë shprehur të gatshme për dialog”, u shpreh ai.

I pyetur se cila ishte arsyeja e një takimi të dytë me Kurtin, Lajçak tha se kështu ishin pajtuar që në fillim, që të diskutojnë edhe një herë para se ai të vazhdonte vizitën e tij në Beograd.

“U takova me z.Kurti dhe z.Bislimi dy herë, sepse kështu ishim pajtuar. Që të diskutojmë agjendën në fillim dhe se do të takohemi edhe njëherë në fund të vizitës sime që të bëjmë të qartë se do të kemi pajtime në hapat e ardhshëm. Do të jem në Beograd të hënën e të martën, do të vazhdoj edhe atje diskutimet me partitë atje për dialogun”, tha Lajçak.

Një datë e re për takim në Bruksel është diskutuar gjatë këtij takimi, por Lajçak tha se e njëjta nuk mund të bëhet publike pasi që duhet të diskutohet edhe në Beograd për datën.

“Sa u përket takimeve, diskutuam datat e mundshme, ndërkaq natyrisht duhet ta diskutoj edhe në Beograd. Sa i përket marrëveshjes, është e rrezikshme të flasim për datë, por çka është e rëndësishme është që të dy palët janë të përfshira në proces dhe ai po vazhdon”, tha ai.

Në pyetjen e gazetarëve se nëse ka një draft të parë të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, Lajçak duke qeshur u përgjigj duke thënë se “Doni të dini shumë”.

/Gazeta Sinjali/