image "Mulliri i drogës", Gjykata merr vendim për gjashtë të dyshuarit që u arrestuan në Suharekë

Drejtësi

“Mulliri i drogës”, Gjykata merr vendim për gjashtë të dyshuarit që u arrestuan në Suharekë

news image

Të mërkurën gjashtë persona u arrestuan pasi u shkatërrua një nga laboratorët më të mdhenj të drogës në Kosovë. Gazeta Sinjali i publikoi pak më parë emrat e të arrestuarve, ndërsa edhe Gjykata në Prizren e ka marrë vendimin për ta.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjashtë të arrestuarit për prodhimin e marihuanës janë:
Milazim Voci,
Alban Maloku,
Filip Mishevski,
Eroll Marko,
Alajdin Ramadani,
Ertan Daciki.

Sipas një komunikate për media, Gjykata ka njoftuar se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge“​.

Nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri -tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli  në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit. Po ashtu, të pandehurit e lartcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, të siguruara në rrethana të përshkruara si më lartë, e të cilën substancë e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar“, thuhet në njoftim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/