image Ky shtet merr vendim t'i lejojë qytetarët e vet të luftojnë në Ukrainë

Botë

Ky shtet merr vendim t’i lejojë qytetarët e vet të luftojnë në Ukrainë

news image

Parlamenti i Letonisë votoi njëzëri për t’i lejuar shtetasit e tij të luftojnë në Ukrainë, nëse dëshirojnë.

“Qytetarët tanë që duan ta mbështesin Ukrainën dhe të shërbejnë vullnetarisht atje, për të mbrojtur pavarësinë e Ukrainës dhe sigurinë tonë të përbashkët, duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë”, tha Juris Rancanis, kryetar i Komisionit parlamentar të mbrojtjes, punëve të brendshme dhe parandalimit të korrupsionit, i cili e hartoi ligjin, raporton REL.

Letonia, e cila kufizohet me Rusinë dhe aleaten e saj, Bjellorusinë, ka ndihmuar tashmë Ukrainën me armatim, përfshirë raketa Stinger.

Kujtojmë se sot Bjellorusia njoftoi se ka përgatitur vendin për bisedimet midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë.

Ukraina ra dakord të dërgojë diplomatë në një vendndodhje afër kufirit Ukrainë-Bjellorusi, pavarësisht raporteve se udhëheqësi autoritar i këtij vendi, Alexander Lukashenka, është gati të dërgojë trupa për t’iu bashkuar pushtimit.

“Vendi për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi është përgatitur. Pritet ardhja e delegacioneve”, tha Ministria e Jashtme e Bjellorusisë.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo publikoi një fotografi të një tavoline të gjatë, me flamuj rusë dhe ukrainas.

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë sot në ditën e pestë.

/GazetaSinjali/