Të shtunën, Brazili ua kaloi Italisë dhe Spanjës sa i përket numrit të përgjithshëm të të infektuarve me koronavirus, duke e zënë vendin e katërt në botë pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Britanisë së Madhe.
Ministria e Shëndetësisë i regjistroi 14,919 raste të reja për 24 orë dhe numri i përgjithshëm i të prekurve në këtë shtet shkoi në 233,142 persona.
Rritja e numrit të rasteve pritet ta shtojë trysninë ndaj presidentit Jair Bolsonaro, i cili për një muaj i humbi dy ministra të shëndetësisë përderisa po i kundërshton ekspertët shëndetësorë dhe po bën thirrje që të përdoren ilaçet që nuk janë dëshmuar si efektive.
Bolsonaro gjithashtu i ka kritikuar ashpër vendimet e guvernatorëve rajonalë për masa të rrepta të izolimit kundër përhapjes së koronavirusit, ku përfshihet mbyllja e shkollave, dyqaneve dhe restoranteve, raporton “Reuters”.
Sipas presidentit, efekti i pandemisë në ekonomi po bëhet i papërballueshëm dhe bizneset duhet të lejohen që të rihapen sa më shpejt që është e mundshme. Qeveria braziliane pret që ekonomia ta shënojë tkurrjen më të madhe që është regjistruar ndonjëherë në histori prej fillimit të mbajtjes së statistikave para më shumë se një shekulli./Gazeta Sinjali/