Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar heqja e taksës me shumicë votash. Ky vendim u miratua pa votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me abstenimin e Listës Serbe.
Sipas këtij vendimi, taksa do të hiqet për lëndën e parë, derisa deri më 1 prill pritet të hiqet plotësisht dhe do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit të plotë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Deri më 1 prill 2020, Qeveria do të nxjerrë vendim për të shfuqizuar vendimet e 21 nëntorit 2018 dhe të 28 dhjetorit 2018 dhe për të vendosur masa të reciprocitetit të plotë në marrëdhëniet me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në të gjitha çështjet”, thuhet në pikën e tretë të vendimit të sotëm të qeverisë.
Gazeta Sinjali gjatë ditës së sotme kishte raportuar se për vendimin e Kurtit është njoftuar edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ndërsa pritet të ketë koordinim edhe me emisarin special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell për të proceduar më tutje.
Mbledhja e sotme e qeverisë është mbajtur në distancë, bazuar në rregullore./Gazeta Sinjali/