Një fitues i lotarisë indiane ka thënë se është aq i mbingarkuar me kërkesat për ndihmë financiare, saqë “është penduar” për marrjen e çmimit të jackpot-it.
Sipas mediave të huaja, Anoop, një shofer automjetesh nga shteti jugor i Kerala, kishte fituar 250 milionë rupi (rreth 3 milionë euro) në një lotari të qeverisë shtetërore më parë në shtator.
Por një javë më vonë, ai postoi një video duke u kërkuar të panjohurve që të mos e shqetësonin më atë dhe familjen e tij.
“Do të doja të mos kisha fituar”, thotë ai. “Çmimi i tretë mund të ketë qenë më i mirë”.
Anoop thotë në video se po mendon të ndërrojë shtëpi për t’i shpëtuar vëmendjes dërrmuese të publikut. Historia e tij kishte zënë titujt e mediave kombëtare dhe jo vetëm kur fitoi çmimin, më i larti i ofruar ndonjëherë në shtet për një lotari.
Pasi u publikua lajmi për fitoren e tij, familja e tij mori një vëmendje të madhe mediatike. “Isha shumë i lumtur kur fitova”, thotë ai në videon e tij të fundit. “Kishte njerëz dhe kamera në shtëpi dhe ne ishim të lumtur. Por situata shpejt doli jashtë kontrollit”, u shpreh ai.
“Unë nuk mund të dal nga shtëpia, nuk mund të shkoj askund. Fëmija im është i sëmurë dhe nuk mund ta çoj te mjeku”.
Anoop, i cili do të marrë 150 milionë rupi (rreth 1.9 milion euro) pas taksave të qeverisë, thotë se njerëzit fillojnë të mbërrijnë në shtëpinë e tij çdo mëngjes. Ndërkohë qeveria e shtetit ka thënë se do të organizojë një program trajnimi njëditor për Anoop mbi menaxhimin financiar për ta ndihmuar atë të përdorë mirë paratë.