Gazeta Sinjali sot raportoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar zyrtarin e IT-së në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), i cili po dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Sinjali mëson se zyrtari i arrestuar është Leotrim Jahja.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se në cilësinë e menaxherit të kontratës nga QKUK “Furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokurori i çështjes, lidhur me këtë rast është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, derisa ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale.
Gazeta Sinjali sot ka provuar që të kontaktojë me drejtorin e ShSKUK-së, Valbon Krasniqin, për këtë rast, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/