Gazeta Sinjali raportoi sot me detaje dhe publikoi pamje për incidentin ku u përfshi shefi i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Blerim Feka. Ai u kap me babain e një foshnje që ndodhet në trajtim mjekësor në këtë institucion shëndetësor publik. Lidhur me rastin, SHSKUK-ja ka kërkuar nga spitali të merren masa urgjente ndaj mjekut.
Ndërkohë Sinjali ka mësuar detaje të reja për veprimet që janë ndërmarrë nga Prokuroi i Shtetit. Burimet thonë se ndaj gjinekologut të dyshuar është iniciuar rast për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Mjeku është intervistuar nga hetuesit policorë dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit si kundërvajtje. Në lidhje me rastin ka dëshmuar edhe viktima, ndaj të cilit do të merren veprimet e nevojshme në rast se ka elemente të veprës penale lidhur me incizimet brenda spitalit.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka kërkuar nga Spitali i Vushtrrisë që të trajtohet ky rast në bazë ligjit.
“Në lidhje me videot që po qarkullojnë në rrjete sociale, ku në komunikim me familjarët e pacientëve është i përfshirë një mjek i Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, i cili komunikon me arrogancë me palët, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron se ka kërkuar urgjentisht nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë, të trajtojë rastin dhe të merren masa urgjente, konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi.”.
Ndryshe, në pamjet e siguruara nga Gazeta Sinjali shihet Feka teksa debaton me prindin e foshnjës, i cili kërkon nga mjeku që të lejojë ta shohë fëmijën e tij të sëmurë.
Sipas qytetarit, mjeku gjinekolog nuk ka pasur sjellje të hijshme karshi gruas e cila i është drejtuar Fekës për komunikim dhe i njëjti dyshohet të ketë bërtitur nëpër spital.
“A është në rregull ti si shef i repartit me ba kësi sjellje. A është në rregull? Unë e kom fminë smutë o burrë, unë po du me hi me pa fminë, ti po thu, p’i bërtet nji gruje që është t’u folë drejtpërdrejtë me ty. Ajo e ka çikën mrena t’bome operacion, fmija është me probleme me frymëmarrje, ti po bërtet në mes të sallës. A është në rregull prej teje doktor? Shef i repartit i thu vetit. A është në rrëgull”, dëgjohet teksa qytetari kërkon llogari nga gjinekologu Feka.
E ky i fundit, si duket nuk mund ta durojë më gjatë familjarin e pacientit dhe i vërsulet ta sulmojë, teksa shihet qartazi në video se ia godet telefonin me të cilin po xhironte. Po ashtu gjatë zënkës dëgjohen edhe të shara me nënë nga Feka.
“Kënd po e incizon ti rrugës”, dëgjohet duke thënë Feka, i cili tenton t’ia largojë telefonin qytetarit që po e incizonte.
“Hima hima, unë babën e kom polic. Qetash ti thirri Policinë. Ti s’e Meriton me qenë Shef i Repartit”, thotë qytetari.
“A ti mu ma q*n nanën a?’, i përgjigjet qytetari Fekës, teksa e paralajmëron se ai nuk do të jetë më pjesë e këtij reparti pasi do ta denoncojë rastin në media dhe në organet e rendit.
Kujtojmë se ndaj Blerim Feka edhe më parë kishte ankesa dhe për këtë kishte raportuar Gazeta Sinjali, ku një grua kishte deklaruar se gjinekologu Feka, kishte reaguar me nervozizëm të madh dhe e kishte kontrolluar në shpejtësi të madhe, teksa ajo po ndiente dhimbje në stomak dhe se i njëjti kishte sjellje arrogante ndaj saj.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.