Mediat spanjolle kanë raportuar orët e fundit se në Spanjë prej muajit gusht ndodhet në burg një shqiptar i rrezikshëm, i cili u plagos në tentativë për tu arrestuar nga policia. Bëhet fjalë për Fatbardh Dervishin alias Fatbardh Doda.
Ai është arrestuar nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikim dokumentesh, armëmbajtje pa leje, trafik droge, grup kriminal. Grupi i kryesuar nga ai, maskohej me uniformë policie dhe kryente gjithashtu grabitje të shtëpive që shërbenin si magazina droge.
Por veç këtyre, Dervishi akuzohet në Shqipëri se në 3 janar të një viti më parë, plagosi me armë në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës 23 vjeçaren E. Koroveshi e prej atëherë rezulton person i shpallur në kërkim. Ndërkohë disa ditë më vonë, në emisionin “Në Shënjestër” në News 24, Dervishi u akuzua nga Liza Malshi, nëna e të zhdukuri në vitin 2018 në Spanjë Tauland Malshi, se kishte gisht në zhdukjen e këtij të fundit.
Nëna e të riut tregoi se ishte telefonuar nga shoku i tij Edmir Vlashi i cili i kishte thënë se më 25 gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda dhe se Fatbardhi i kishte thënë Edmirit: ‘Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga’.