image Ky është rasti për të cilin kërkohej problematiku nga Prizreni që e kapi dje Antidroga

Siguri

Ky është rasti për të cilin kërkohej problematiku nga Prizreni që e kapi dje Antidroga

news image

I kërkuari nga Prizreni për shitblerje të drogës, Edon Bytyqi, ka rënë dje në prangat e Policisë, nën dyshimet për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike. Sinjali raportoi dje ekskluzivisht për arrestimin e tij, gjatë një operacioni të Njësisë së Antidrogës, që nuk shkoi pa telashe, pasi dyshohet se u kërcënuan e u penguan nga babai dhe vëllai i Edonit.

Por për cilin rast kërkohej Edon Bytyqi?

Edhe në tetor të vitit 2021, Policia e Kosovës kishte kryer një bastisje në lagjen ‘Dardania’ në Prizren, në shtëpinë e Edon Bytyqi, ku u gjetën dhe u sekuestruan dy kilogramë drogë.

Përveç substancave narkotike, e llojit kokainë e marihuanë, atë kohë, zyrtarët policorë patën konfiskuar edhe një armë, sprej, pajisje për përpunimin e narkotikëve, telefon, pasaportë, si dhe veturën e të dyshuarit.

Provat kundër tij ishin gjetur, por jo edhe i dyshuari. Ai e ka shijuar lirinë duke qëndruar në arrati nga 16 tetori i vitit të kaluar, deri më dje, ku edhe u arrestua.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se edhe dje u krye bastisje në shtëpinë e tij, ku janë sekuestruar shiringa, rizlla, e shishe të ndryshme me substanca narkotike.

Pas arrestimit, Bytyqi është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është lëshuar  aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Ai dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/