image Ky është polici serb i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime në Komunën e Istogut  

Drejtësi

Ky është polici serb i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime në Komunën e Istogut  

news image

Ndaj policit serb 54-vjeçar është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krime të kryera në Komunën e Istogut gjatë luftës ndaj popullatës civile.

Është fjala për Çasllav Jeliqin i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës me 2 qershor të këtij viti, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas PSRK-së aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri Çasllav Jeliq akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri me 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare ka aplikuar masat e torturimit ndaj personave civil, të dëmtuarve Z.M, N.F dhe N.C.

Gjithashtu, kjo prokurori njofton se hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë, të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.

“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës”, njofton Prokuroria Speciale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/