image Ky është plani i Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Drejtësi

Ky është plani i Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

news image

Koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i Ministrisë së Drejtësisë është finalizuar dje dhe është dërguar për procedim në Qeverinë e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Madje, Gazeta Sinjali mëson se kjo ministri ka bërë kërkesë që shqyrtimi i këtij koncept dokumenti të jetë pikë e rendit të ditës në mbledhjen e radhës të Qeverisë Kurti.

Gazeta Sinjali e ka siguruar këtë koncept dokument, përmes të cilit Ministria e Drejtësisë propozon që konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme të bëhet në pesë faza, ashtu siç është përcaktuar në Dokumentin e Punës të Komisionit Evropian të vitit 2012.

Fillimisht, kjo ministri përmes këtij koncept dokumenti sugjeron që të bëhet identifikimi i pasurisë së pajustifikueshme përmes hetimeve financiare, të cilat vlerëson që ndihmojnë në përcaktimin e pasurive që potencialisht kanë origjinë të paligjshme.

Faza e dytë e procesit të konfiskimit parashihet të jetë ruajtja që nënkupton ngrirjen apo sekuestrimin e pasurisë, përmes kërkesës, mjeteve juridike dhe një urdhri gjyqësor.

Pas kësaj faze, ky koncept dokument parasheh të bëhet konfiskimi përfundimtar i kësaj pasurie, përmes një vendimi gjyqësor.

Faza e katërt e këtij procesi propozohet që të jetë përmbarimi, kalimi i pasurisë ligjërisht te autoritetet.

Faza e fundit e konfiskimit të pasurisë planifikohet të jetë rishpërndarja, në të cilën do të vendoset se kush dhe si do ta administrojë pasurinë, kur duhet të mbahet e kur duhet të shitet./Gazeta Sinjali/