image Ky është i riu që sulmoi fizikisht policin brenda stacionit policor në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

Siguri

Ky është i riu që sulmoi fizikisht policin brenda stacionit policor në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

news image

Foto ilustruese


Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarët, qoftë gjatë detyrës ose edhe kur janë në rroba civile. E shpeshherë situata eskalon edhe në sulme fizike ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një sulm i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë teksa njësitë policore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kanë tentuar që të ndalin një veturë me targa vendore, shoferi i së cilës nuk i është bindur urdhrave të Policisë duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se i dyshuari për sulm ndaj zyrtarit policor është 22-vjeçari, Bleard Xhemaili.

I njëjti pasi është kapur nga Policia, është dërguar në stacionin policor ku në revoltë e sipër ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policorë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se polici ka pësuar lëndime trupore si pasojë e sulmit dhe është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në spital.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/