Një tjetër rast flagrant i monitorimit të bashkëshortes me kamera është shënuar në Shqipëri. 34-vjeçari, Asqeri Mandri kishte instaluar kamera në banesën e tij për të monitoruar bashkëshorten.
Në pamjet e publikuara nga TvKlan, i riu shfaqet në prezencë të fëmijëve të tij të mitur dhe gruas së tij. Mbi dyshimet për dhunë dhe këto pamje filmike, Policia e Tiranës ka vënë në pranga 34-vjeçarin.
Mandri u kallëzua për dhunë nga bashkëshortja e tij, e cila vetëm disa orë më vonë, i hodhi poshtë këto akuza. Sa i takon denoncimit të referuar në polici, e reja tha se nuk ka qenë mirë në momentin që ka bërë kallëzimin.
Pavarësisht këtij qëndrimi, policia ka dyshime se e reja është dhunuar nga bashkëshorti dhe për këtë thotë se disponon prova mes të cilave dhe pamje filmike që provojnë atë.
34-vjeçari ishte kthyer nga Gjermania vetëm pak ditë më parë, ndërsa kohët e fundit kishte shfaqur shenja xhelozie dhe dyshonte se gruaja e tij e tradhtonte. Këtë version jep edhe nëna e 34-vjeçarit e cila gjithashtu mohon dhunën.
“Jo or ti, t’i kishte rraf nuk janë krejt…Jo or ti djalë jo! Po jo bre se ka ashtu fare…Xheloz, i papamë mo! Se a po e ruante brenda ai?! Nuk më pyesin mua çunat, lekë ka 5, 6 vite që nuk na ka dorëzuar. 600 mijë lekë merr, se punon. Po në fabrikë, ka punuar që i vogël”, tha nëna e 34-vjeçarit.
Në harkun kohor të dy javëve ky është rasti I dytë i regjistruar në kryeqytet ku gra e fëmijë izolohen në banesë dhe monitorohen me kamera sigurie. Po për të njëjtën akuzë më 26 janar u vu në pranga edhe Jetnor Zhabolli.