image Ky është i arrestuari i parë në aksionin e Krimeve Ekonomike në Pejë

Siguri

Ky është i arrestuari i parë në aksionin e Krimeve Ekonomike në Pejë

news image

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se ka filluar aksioni i Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe prokurorisë, i cili ka për qëllim arrestimin e disa zyrtarëve publike, të dyshuar, ndër të tjera, për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Gazeta Sinjali mëson se i arrestuari i parë gjatë këtij aksioni është Bajram Muzlia, inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës.

Bajram Muzlia

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë së Shtetit kanë bërë të ditur se ky aksion përfshin bastisje në hapësirat zyrtare, drejtoritë respektive, si dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, për të cilët tashmë është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i tyre.

Prokurori kompetent tashmë ka vënë në dispozicion të policisë një listë të gjerë të provave dhe pajisjeve elektronike, që do të jenë subjekt i sekuestrimit me rastin e bastisjeve, prova këto që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme hetimore kundër të dyshuarve.

Këto burime konfirmojnë se fokusi i hetimit të realizuar deri më tani nga Prokurori i Shtetit ka të bëjë me çështje që lidhen me drejtorinë e urbanizimit dhe të inspektimit, me theks të veçantë ka në fokus papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit.

Mirëpo, ky nuk do të jetë fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/