image Ky është i arrestuari i dytë për tentim vrasjen në Gjakovë

Drejtësi

Ky është i arrestuari i dytë për tentim vrasjen në Gjakovë

news image

I riu Blerim Muslija u gjuajt mbrëmë me kallashnikov, në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë”, ku si pasojë mori plagë në dorë e këmbë. Si të dyshuar për këtë tentim vrasje, janë arrestuar dy persona. Demir Kelmendi ra mbrëmë në prangat e Policisë, ndërsa sot u prangos edhe një tjetër i dyshuar. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje për të arrestuarin e dytë dhe lidhjen e tij me të plagosurin.

Siç kanë bërë të ditur këto burime, i ndaluari i dytë është Lirim Muslija, i cili sipas këtyre burimeve ka lidhje familjare me të plagosurin, Blerim Muslija, shkruan Gazeta Sinjali.

Blerim Muslija – I plagosuri

Blerimi u gjuajt pas mosmarrëveshjeve paraprake që kishte me të dyshuarin Kelmendi. Motivi i tentim vrasjes është i njohur për redaksinë, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, Gazeta Sinjali tani për tani nuk do të publikojë detaje të tjera.

Për dy të dyshuarit për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Demirit dhe Lirimit. Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale “tentim vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Çka u gjet në vendin e ngjarjes – Detaje nga bastisja në shtëpitë e të dyshuarve

Mbrëmë, pasi Policia mori informacionin për plagosje, në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar dy lloje të ndryshme të gëzhojave. Po ashtu u gjet dhe u konfiskua edhe një kallashnikov, me 23 fishekë.

Zyrtarët policorë arrestuan Demir Kelmendin, të cilit mbrëmë, me vendim të prokurorit iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërsa i plagosuri, Blerim Muslija, nga Spitali i Gjakovës është dërguar në QKUK, ku po trajtohet për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Ndërkohë sot, në orët e mëngjesit, Policia ka arritur të arrestojë edhe të dyshuarin e dytë, Lirim Muslijajn.

Pas arrestimit të tij, janë kontrolluar disa lokacione. Përmes një njoftimi, Policia njoftoi se gjatë bastisjes së shtëpive dhe objekteve përcjellëse, janë gjetur edhe dy armë zjarri të llojit armë e gjatë automatike dhe një revole të cilat janë konfiskuar si provë përcjellëse në rast.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për vendimin e Gjykatës pasi të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinajli/