image Ky është dënimi që do të marrin bizneset që punojnë të dielën në Maqedoni të Veriut

Rajon

Ky është dënimi që do të marrin bizneset që punojnë të dielën në Maqedoni të Veriut

news image

Ndonëse, ishte parashikuar që të hynte në fuqi ditën e parë të 2022-ës, vonesa e publikimit të Ligjit të Punës në Gazetën Zyrtare, bëri që ky ligj të fuqizohet nga sot në Maqedoninë e Veriut.

Sidoqoftë, shumica e marketeve në këtë vend dje mbetën të mbyllura, megjithëse kishin të drejtë të punonin.

Prej kësaj jave, rregullat e reja vlejnë për gastronominë dhe sektorët e tjerë në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës.

“Ishim këtu në këtë restorant, kemi mbikëqyrur dhe kemi konstatuar se punëdhënësi nuk ka qenë i informuar për ndryshimet në Ligjin për marrëdhëniet e punës dhe nuk e ka njoftuar inspektoratin e punës. Unë dhe kolegu im do të plotësojmë procesverbalin dhe do t’i bëjmë paralajmërim punëdhënësit sipas ligjit të punës”, tha Lulzim Farizi, Inspektorati Shtetëror i Punës.

Për ato kompani që sipas zgjidhjes ligjore nuk lejohen të punojnë të dielave ndërsa inspektorati e vërteton të kundërtën, duke shkelur ligjin, do të gjobiten.

Përgjegjësve do t’u shqiptohet ndalesë pune për 15 ditë, ndërsa herën tjetër sanksioni rritet në 30 ditë.

Për sa i përket gjobës, ajo varet nga madhësia e kompanisë dhe lëvizë nga 200 deri në 1000 euro.

“Tash e tutje punëdhënësi e ka obligim, ata punëtorë që do t’i punësojë në detyrë të dielën paraprakisht duhet të futen në listë dhe ajo listë të dërgohet në Inspektoratin e Punës më së voni deri të shtunën. Në këtë mënyrë, autoritetet do të kenë pasqyrë se cilët punëtorë janë angazhuar të dielën dhe nëse kanë marrë pagë më të lartë ditore për angazhimin e tyre”, raporton Alsat.

Qendrat tregtare kanë të drejtë të punojnë të dielave, nga ora 10 deri në 20, ndërsa mëditjet e punonjësve të rriten për 100 për qind.

Të dielën do të jenë të hapura farmacitë, pikat e karburantit, prodhimi i bukës dhe të gjitha aktivitetet e tjera ku është e pamundur të ndalet procesi i prodhimit./GazetaSinjali/