image Ky është çmimi që do ta paguajë çdo shofer/e krahas kontrollit teknik të automjetit

Kosovë

Ambienti/ Ky është çmimi që do ta paguajë çdo shofer/e krahas kontrollit teknik të automjetit

news image

Nga janari i vitit 2020, pronarët e veturave dhe automjeteve tjera do të paguajnë shtesë për ‘pullën mjedisore’. Ky shërbim do të kryhet nëpër kontrollat teknike pak para regjistrimit të automjetit, raporton Gazeta Sinjali.

Tarifa për vendosjen e ‘pullës mjedisore’ në automjet do t’i kushtojë secilit shofer/e nga 5 euro, mëson Gazeta Sinjali nga burime të sigurta brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

Për këtë temë, Gazeta Sinjali, ka biseduar edhe me ministrin në detyrë të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj. Ai ka thënë se matja e gazrave që lirohen nga automjetet është në fazën testuese dhe automjetet që nuk i plotësojnë parametrat do të refuzohen dhe nuk do të mund të regjistrohen për të qarkulluar në trafik.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, departamenti i Automjeteve, është në fazën provuese të matjes së gazrave. Është krijuar komisioni i përbashkët me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësior dhe atë të Financave, për nxjerrjen e vendimit të matjes së gazrave. Me këtë vendim përcaktohet edhe tarifa që shoferët do të paguajnë. Pas kësaj, automjetet që nuk plotësojnë parametrat sipas Udhëzimit Administrativ 01/2018, do të refuzohen dhe nuk mund të regjistrohen për të qarkulluar në trafikun rrugor”, tha Lekaj për Gazetën Sinjali.

Me tej, Lekaj ka refuzuar të tregoj për tarifën që do të paguajnë qytetarët, por Gazeta Sinjali ka mësuar nga burime të sigurta brenda ministrisë që udhëheq ai, se çmimi për vendosjen e kësaj pulle do të jetë 5 euro.

Ndërkohë, Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka treguar se gjatë bërjes së kontrollimit teknik të automjetit do të matet edhe emitimi i gazrave të automjeteve në ajër dhe secili automjet do të pajiset me këtë pullë.

Kujtojmë se së fundmi, Banka Qëndrore e Kosovës (BQK), ka marrë vendim për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26% duke rënduar gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës./Gazeta Sinjali/