image Ky është biznesmeni që u arrestua nën dyshimin për falsifikim licence

Siguri

Ky është biznesmeni që u arrestua nën dyshimin për falsifikim licence

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, në Gjilan, pas hetimeve të zhvilluara, ka ndaluar të dyshuarin Jasmir Morina, në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Jasmir Morina, drejtor i kompanisë “Tribune SHPK”, dyshohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Konkretisht, bëhet fjalë për një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan në vlerë prej 47,058.03.

Morina dyshohet se prezantoi dokumente të falsifikuara në dosjen e tenderit, duke shfrytëzuar licencën e një arkitektje e cila nuk e kishte dhënë dokumentin për shfrytëzim me vullnetin e saj.

Jasmir Morina, drejtor i kompanisë “Tribunë SHPK”, figuron si drejtor i kësaj kompanie që nga viti 2014, teksa në CV-në e tij të prezantuar në rrjetin social Linkdin, shkruhet se ka të përfunduar master në Inxhinieri Ndërtimore në Universitetin e Prishtinës në vitin 2008.

No photo description available.

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë ditës së sotme njoftoi se ndaj të njëjtit është marrë masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Dyshohet se, i dyshuari J.S., si pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, përmes prezantimit të dokumentacionit të rremë, ka arritur që të shpallet fitues në një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan. Me këto veprime, i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale dhe ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe “Tribune SHPK” në platformën Prokurorimi i hapur rezulton se me 10 tender nga viti 2018 deri më 2021 ka fituar nga shteti në vlerë 793,560.07 Euro.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/