image Ky është arsimtari që dyshohet se keqtrajtoi katër nxënës në Mamushë - i caktohet arrest shtëpiak

Drejtësi

Ky është arsimtari që dyshohet se keqtrajtoi katër nxënës në Mamushë – i caktohet arrest shtëpiak

news image

Një video e publikuar në rrjetin social TikTok, në të cilin shihej një mësues duke rrahur katër nxënës dyshohet se u bë shkak që mësimdhënësi i Edukatës Fizike në Mamushë të arrestohet nga Policia e Kosovës.

Mësuesi është arrestuar më 24 shkurt, pasi që dyshohet se ka përdorur dhunë fizike ndaj nxënësve të klasës së gjashtë.

Gazeta Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për mësuesin Adem Koç, i cili punon si arsimtar i lëndës së Edukatës Fizike.

Nga Gjykata Themelore në Prizren, kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se ndaj Adem Koç është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Me datë 07.12.2021 gjatë orarit të mësimit, në shkollën fillore të Mamushës, i pandehuri A.K., në cilësi të personit zyrtar – arsimtar i edukatës fizike, duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, me dashje e keqtrajton fizikisht dhe fyen rëndë dinjitetin e të dëmtuarve – fëmijëve katër (4) nxënës, ashtu që i pandehuri i godet fuqishëm me shuplaka në fytyrë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Po ashtu, nga Gjykata kanë bërë të ditur se në lidhje me këtë çështje do të merren në pyetje edhe të dëmtuarit kurse caktimi i masës së arrestit shtëpiak sipas tyre është i arsyeshëm, dhe i domosdoshëm duke marrë parasysh faktin se i pandehuri A.K., me vetëdije të plotë pa ndonjë arsye konkrete i sulmon dhe i godet të dëmtuarit – nxënësit gjatë orës mësimore në objektin e shkollës fillore, andaj caktimi i masës së arrestit shtëpiak ka qenë i domosdoshëm.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se informatat lidhur me rastin i kanë marr 11 shkurt të këtij viti, ku kanë pranuar një video-incizim nga Drejtoria e Arsimit.

I dyshuari është intervistuar dhe i njëjti deklaroi se nga mos mbajtja e disiplinës së nxënësve, hyrje- daljet në klasë gjatë orës mësimore, ai e kishte humbur durimin dhe në një moment kishte përdorur forcë fizike ndaj disa nxënësve”, njoftoi Policia.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

/GazetaSinjali/