image Kuvendi të hënën mban mbledhje të jashtëzakonshme për taksën

Kosovë

Politikë/ Kuvendi të hënën mban mbledhje të jashtëzakonshme për taksën

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në mbledhjen e qeverisë të mbajtur sot është marrë vendim që të hënën në ora 11:00 do të mbahet seanca e kërkuar nga 41 deputetë të Kuvendit lidhur me mos’heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por që është përkrahur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryeparlamentarja tutje ka shtuar se pas të hënës janë planifikuar të mbahen edhe dy seanca tjera, më 5 dhe më 9 mars.

“Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme. Këtë të hënë në orën 11 do të kemi seancë të jashtëzakonshme për mos’heqjen e taksës. Po ashtu do të kemi seancë edhe më 5 mars për epopenë e UÇK-së, po ashtu me 9 mars do të kemi seancë tematike për ditën e gruas. I kemi trajtuar edhe disa çështje procedurale, janë një sërë bordesh që duhet emëruar”, ka thënë ajo.

Duke folur për vendimin e mbrëmshëm që Qeverisë Kurti lidhur me taksën, Osmani ka thënë se askush nuk po mundohet t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në.

“Do të kemi takime me kryeministrin që të diskutohen këto çështje. Sa i përket dyshimeve se dikush po mundohet t’i dëmtojë relacionet me SHBA-në, ju them se një gjë e tillë nuk ekziston”, ka thënë ajo.

Në fund, ajo ka shtuar se nuk mund të rrezikohen marrëdhëniet me SHBA-në vetëm për çmimet e një produkti./GazetaSinjali/