Përkundër ekzistimit të një shumice të fortë parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të përfundojë me kohë të gjitha pikat e rendit të ditës. Legjislativi ka çështje të papërfunduara nga disa seanca plenare të mbajtura në muajin shkurt, mars, prill e maj. Organizata të shoqërisë civile që monitorojnë punën e Kuvendit thonë se kjo është praktikë jo e mirë dhe shpërfaq moskoordinimin në Kryesinë e Kuvendit dhe jo seriozitetin e deputetëve.
Një debat parlamentar për sigurinë në vend, i thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pak ditë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, pas disa shtyrjesh, u mbajt me rreth 3 muaj vonesë, në seancën e 19 majit. Megjithëkëtë, votimi i propozim-rezolutës nga ky debat, në mungesë kuorumi nuk ndodhi. Madje, Kryesia e Kuvendit nuk e futi në rend dite as për seancën e fundit, njëjtë siç vendosi edhe për disa pika të tjera të pa përfunduara nga seanca të ndryshme të mbajtura që nga shkurti.
Mostrajtimi me kohë i pikave të rendit të ditës dhe bartja nga një seancë në tjetrën, është praktikë jo e mirë dhe shpërfaqë mos koordinimin e kryeparlamentarit, kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare, thotë për Radio Kosovën, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Ne si IKD këtë e shohim më shumë si neglizhencë, por edhe si papërgjegjshmëri të deputetëve të Kuvendit në raport me obligimet që i kanë si deputetë dhe në raport me obligimet që i kanë ndaj qytetarëve. Jo rrallëherë deputetët në vend se t’i kushtojnë rëndësi Kushtetutës dhe interesit të përgjithshëm bëjnë politikë varësisht agjendave që i kanë për partinë të cilën e përfaqësojnë”, tha ai.
Përveç IKD-së, ashtu si edhe disa organizata të tjera, edhe Rrjeti i OJQ-ve AVONET monitoron punimet e Kuvendit. Drejtori i kësaj organizate, Kenan Gashi, po ashtu vlerëson se mos trajtimi me kohë i pikave të rendit të ditës është praktikë jo e mirë që po pengon parlamentarizmin.
“Bartja e pikave të rendit të ditës nga një seancë në seancën tjetër, apo nga muaji në muaj, është tejet shqetësuese dhe jo serioze. Them kështu pasi deputetët janë zgjedhur për të përfaqësuar dhe trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët, vendin e politikat shtetërore. Kështu që, Kryesia e Kuvendit, Komisionet Parlamentare, por edhe deputetët duhet të trajtojnë më seriozisht pjesëmarrjen në Kuvend, duke i trajtuar çështjet me një seriozitet më të madh”, tha ai për Radio Kosova, shkruan EO.
Përkundër pranisë në seancë, si pasojë e mospjesëmarrjes në votim, në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, Kuvendi nuk trajtoi as disa nga pikat e rendit të ditës në seancën e fundit, e mbajtur të enjten e 26 majit.