Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot kuvend të jashtëzakonshëm në Podujevë, ku është zgjedhur kryetari i ri i degës, raporton Sinjali.
Sipas njoftimit të LDK-së, kryetar i kësaj dege me 74 vota pro është zgjedhur Ekrem Hyseni.
“Me 74 vota pro dhe një abstenim Dr. Ekrem Hyseni zgjidhet kryetar i LDK – Podujevë. Urime”, kanë bërë të ditur nga dega e LDK-së në Podujevë.
Kujtojmë që Hyseni ka qenë kandidat i LDK-së në zgjedhjet e kaluara komunale, ku humbi në balotazh kundër Shpejtim Bulliqit të VV-së.
Ndërsa, ish-kreu i kësaj dege, Agim Veliu, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këtë kuvend.
Ai e akuzoi partinë dhe kreun e saj, Lumir Abdixhiku, se po kjo thirrje është bërë në mënyrë klandestine dhe po shkatërrohet ‘bastioni i fundit’ i LDK-së.
Ai tha se nuk do të marrë pjesë në këtë kuvend, pasi sipas tij është “kundërstatutar dhe i paligjshëm”.