image Kushtetuesja shfuqizon disa nene të udhëzimit administrativ të MASHT pas ankesës së Komunës së Kamenicës

Drejtësi

Kushtetuesja shfuqizon disa nene të udhëzimit administrativ të MASHT pas ankesës së Komunës së Kamenicës

news image

Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar një aktgjykim në rastin e parashtruar nga Komuna e Kamenicës derisa në krye të saj ishte Qëndron Kastrati.

Ky i fundit kishte dërguar në Kushtetuese një udhëzim administrativ të MASHT-it që synonte marrjen e kompetencave të komunave.

Ajo ka shfuqizuar disa nene të një udhëzimi administrativ që kishte të bënte me kriteret dhe procedurat e themelimit dhe pushimit të veprimtarë së institucioneve të arsimit parauniversitar.

Vendimi ishte marrë derisa në krye të Ministrisë së Arsimit ishte Ramë Likaj.

Kjo është përmbledhja e GJK-së.

“Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të kontestuar, Gjykata, njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) neni 3 (Themeluesi), paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 6 (Verifikimi i kushteve), paragrafët 2 dhe 3 të nenit 7 (Vendimi) dhe paragrafët 6, 7 dhe 8 të nenit 9 (Pushimi i veprimtarisë së institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe si të tilla, shfuqizohen”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Në përputhje me garancitë e lartcekura të Kushtetutës dhe Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, dhe referimin e të njëjtave në detyrimin që këto garanci të zbatohen edhe përmes ligjeve të aplikueshme, Gjykata gjithashtu rikujtoi që, bazuar në nenin 17 (Kompetencat vetanake) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit. Në anën tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin në Komuna, ndër tjerash, mban përgjegjësinë kryesore për planifikimin, caktimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë së sistemit të arsimit parauniversitar, dhe ka përgjegjësinë të promovojë dhe të përmirësojë cilësinë dhe efikasitetin e arsimit dhe aftësimit përmes inspektimit të arsimit, monitorimit dhe vlerësimit me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit në fuqi.Duke zbatuar parimet e lartcekura në rrethanat e rastit konkret, përkatësisht vlerësimin kushtetues nëse Udhëzimi Administrativ i kontestuar cenon përgjegjësitë komunale, Gjykata, ndër tjerash, theksoi se kompetenca për vendimmarrje të plotë të pushtetit qendror për themelimin dhe shuarjen e institucioneve të nivelit parauniversitar në komuna, që i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes neneve 3, 6, 7 dhe 9 të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, cenon “kompetencat vetanake” të komunës. Kjo sepse, bazuar në mënyrën e saktësuar në dispozitat përkatëse të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin për Arsimin në Komuna dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar, vendimmarrja për themelimin e institucioneve të nivelit parauniversitar i takon komunave. Ndërsa, sa i përket neneve 4 (Kushtet për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) dhe 5 (Propozimi për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, të cilat, ndër tjerash, përcaktojnë kompetencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë institucionet edukative-arsimore dhe paralelet e ndara, dhe dokumentacionit të nevojshëm përmes të cilit mund të vërtetohet plotësimi i të njëjtave, Gjykata vlerësoi se të njëjtat nuk cenojnë “kompetencat vetanake” komunale. Kjo sepse, në parim, kompetenca për përcaktimin e kritereve dhe kushteve të përgjithshme që një institucion edukativ-arsimor ose paralele e ndarë duhet t’i plotësojë, përmes ligjeve të lartcekura të aplikueshme dhe siç është sqaruar në Aktgjykimin publikuar, i është përcaktuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.Gjykata përfundimisht ritheksoi se, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 123 të saj, vetëqeverisja lokale është e garantuar dhe e rregulluar me ligj dhe bazuar në nenin 124 të saj, çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj. Në kuptim të kësaj, Gjykata theksoi se pushteti qendror dhe në rrethanat e rastit konkret, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes akteve nënligjore nuk mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që nuk i janë përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës, e të cilat kompetenca mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit apo të cenojnë përgjegjësitë komunale në këtë fushë. Një parim i tillë, në kuptim të vetëqeverisjes lokale, buron edhe nga dispozitat e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Gjykata vëren se, Kushtetuta dhe ligjet e aplikueshme qartësisht saktësojnë ndarjen e kompetencave përkatëse, duke përfshirë edhe në fushën e arsimit dhe që të dy nivelet e qeverisjes, janë të detyruara të veprojnë në përputhje të plotë me të njëjtat.

/GazetaSinjali/