Qeveria në dorëheqje ia ka përshkruar vetes kompetencat përmes një dokumenti që u është shpërndarë edhe ministrive, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme kërkesën e kryeministrit për t’ia treguar autorizimet dhe vendimet që mund t’i marrë në dorëheqje.
Aty është barazuar situata kur Qeveria bie me situatën kur Qeveria konsiderohet në dorëheqje. Sipas interpretimit të juristëve, barazimi i situatave është gabim, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mosmiratimi i projektligjeve është kufizimi i vetëm. Por nuk janë stopuar edhe dhjetëra konkurset e hapura në kohë fushate. Me të dërguar lëndën në Kushtetuese, Zyra Ligjore e kryeministrit ka hartuar një opinion të brendshëm përkitazi me këtë çështje, por që nuk është shpërndarë menjëherë, në pritje të përgjigjes së Kushtetueses. Nga tri opsionet e përgatitura – ndalimi, pranimi dhe papranueshmëria, Zyra e kryeministrit ua ka shpërndarë ministrive “Mendimin juridik” për papranueshmëri të vendimit.
Gazeta e ka siguruar një kopje të këtij dokumenti. Fillimisht një përshkrim u është bërë situatave të ngjashme në vendet e tjera të rajonit dhe mënyrën si e kanë rregulluar ato.
Situata e dorëheqjes së kryeministrit në Kosovë është rasti i parë që prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor të vitit 2015.