image Kushtetuesja pritet ta publikojë sot aktgjykimin e plotë

Kosovë

Kushtetuesja pritet ta publikojë sot aktgjykimin e plotë

news image

Të mërkurën pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të publikojë aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, mëson Gazeta Sinjali nga burime brenda Kushtetueses.

Më 21 dhjetor 2020, Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.

Palët në këtë rast janë Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tashmë ka mbajtur takimet e para me përfaqësuesit e partive politike për konsultime rreth datës për zgjedhjet e reja, por sipas saj vendimi do të merret pasi palët të marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë e Kosovës.

Sipas raportimeve të fundit, data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme mund të jetë 7 ose 14 shkurt.

/Gazeta Sinjali/