Nesër në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca dëgjimore rreth kushtetueshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, i dënuar për veprën penale “mashtrim me subvencione”, i cili votoi për formimin e Qeverisë Hoti, më 3 qershor të këtij viti, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në webfaqen e kësaj gjykate.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të mbajë seancë dëgjimore publike, të mërkurën, më 2 dhjetor 2020, duke filluar nga ora 10:00, në të cilën do të shqyrtohet kërkesa KO95/20, që për objekt të shqyrtimit ka: ‘Vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 07/V-15, të miratuar më 3 qershor 2020, përkitazi me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës'”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Për shkak të rrethanave të krijuara si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, kjo gjykatë njofton se seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online), përmes platformës Zoom.
“Gjykata ka ndërmarrë të gjitha masat adekuate dhe në përputhje me udhëzimet e institucioneve shëndetësore për mbarëvajtjen e punës së gjyqtarëve gjatë seancës dëgjimore”.
Ndryshe, në këtë seancë, Lëvizjen Vetëvendosje e përfaqëson deputeti, Artan Abrashi dhe përfaqësuesi ligjor, Blerim Sallahu.
Ndërsa, si kryetar i komisionit për legjislacion pjesëmarrjen e ka konfirmuar, Shkëmb Manaj. Kurse, Qeverinë e Kosovës do ta përfaqësojë avokati, Besnik Berisha.
Të gjitha mediat dhe palët e tjera të interesuara do të mund ta ndjekin seancën dëgjimore drejtpërdrejt duke klikuar në linkun: http://gjk-ks.org/live-streaming/./Gazeta Sinjali/