Më 29 gusht të këtij viti, persona të maskuar dhe të armatosur kishin hyrë në pompën e derivateve “Fetoshi” në fshatin Xërxë të Rahovecit. Për këtë rast policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, të cilëve u ka zbuluar vetëm inicialet. Por, Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për Bedrush Zymin dhe Musë Shalën. Sipas pretendimeve të Prokurorisë së Gjakovës, të dyshuarit kanë arritur të marrin nga arka e pompës së derivateve shumën prej një mijë eurosh dhe nga xhepi i një punëtori 100 euro.
Për caktimin e paraburgimit ka njoftuar Gjykata Themelore e Gjakovës.
“Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy të dyshuarve Musë Shala dhe Bedrush Zymi për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Grabitja” “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, thuhet në njoftimin e gjykatës, transmeton Sinjali.
Sinjali ka siguruar fotografi të personave të dyshuar për grabitjen e armatosur:
“Të pandehurit dyshohen se më 29 gusht 2019, kanë kryer veprën penale të grabitjes në atë mënyrë që të pandehurit Musë Shala dhe Bedrush Zymi të pajisur me armë zjarri dhe me një automjet me targa të falsifikuara, të maskuar shkojnë në pompën e derivateve “Fetoshi” në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit, duke përdorur dhunë dhe në kërcënimin e armëve, nga arka marrin shumën e të hollave në vlerë prej një mijë (1000) euro si dhe nga xhepi i të dëmtuarit D. M. i marrin shumën prej njëqind (100) euro, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur”, thuhet më tej në njoftimin e Gjykatës.
Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë kryer këto vepra penale:
“Me rastin e kontrollit dhe bastisjes së shtëpisë nga ana e policisë, të dyshuarit Musë Shala, i janë gjetur një pushkë e tipit “Shoot gun” dhe një revole e tipit “TT”. Me këto veprime dyshohet se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale, “Grabitja”. Musë Shala dyshohet edhe për veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra këto të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.
Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, që do të llogaritet nga data 30 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2019. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Sinjali/