image Kush ishte Adem Demaçi?

Profile

Kush ishte Adem Demaçi?

news image

Sot shënon 26 shkurt 2022. Në rast se ai do ishte gjallë, do bënte 86 vite mbi supe.

Kush ishte Demaçi?

Adem Demaçi, i biri i Zeqir e Nazife Demaçit, u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.

Në kohën që u lind dhe u rrit ishin rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e okupuar të asaj kohe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së tij dhe me dëshirën e Ademit, babai i tij arriti ta regjistronte atë në shkollë, gjatë pushtimit italian.

Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë që në dasma, në raste vdekjesh dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe vendosmëri të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të  aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg. 

Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”.

Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

Pas luftës ishte tejet aktiv në jetën qytetare por nuk iu dha ndonjë pozitë zyrtare, në Shtetin e Kosovës.

Demaçi ishte autor i disa librave: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur,  Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika, Pushka dhe Tung vargu im.

Demaçi ka vdekur më 26 korrik 2018-të.

/GazetaSinjali/