image Kush është shefi i AKI-së që kryeministri ia kërkoi dorëheqjen

Politikë

Kush është shefi i AKI-së që kryeministri ia kërkoi dorëheqjen

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës, Kreshnik Gashi, i cili ishte emëruar rreth një vit më parë, përcjellë Gazeta Sinjali.

Ai ishte emëruar me 25 nëntor të vitit 2019 në këtë post përmes një bashkëpunimi ndërmjet kryeministrit në detyrë të atëhershëm, Ramush Haradinaj, ish-presidentit Hashim Thaçi, kur Albin Kurti po priste të bëhej kryeministër, pasi partia e tij kishte dalur e para në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndonëse jo në një nivel të tillë, edhe para se të emërohej në krye të inteligjencës, Gashi kishte mbajtur pozita të larta institucionale në sektorin publik.

Ai, në fillim të vitit 2016 ka qenë kryetar Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë së cilës kohë Kosova ka marrë kodin e telefonisë 383 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve. Ai ka udhëhequr ekipin profesional teknik në dialogun e Brukselit.

Para se të zgjidhej në krye të bordit të ARKEP ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Më herët ka qenë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil si dhe më parë e ka udhëhequr komisionin e përhershëm qeveritar për sigurinë e hetimeve të aviacionit pranë Zyrës së Kryeministrit.

Gashi ka pasur përvojë edhe në konsulenca për komisione ndërqeveritare në analiza dhe projekte të pjesëmarrjes së sektorit privat në atë publik. Ka punuar edhe si ekspert i qeverisjes lokale në projekte të BE-së. Gashi ka menaxhuar disa projekte private në fushën e teknologjisë informative.

Tani ish-shefi i AKI-së kishte marrë pjesë në shumë forume, konferenca dhe takime të nivelit ndërkombëtar, si takimi i parë i të rinjve udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë, organizuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Instituti Amerikan për Paqe, pjesëmarrës në forumin e të rinjve të Evropës dhe Azisë, etj.

Emërimi i Gashit në krye të inteligjencës së shtetit kishte ardhur pak ditë pasi Ramush Haradinaj kishte pranuar dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e njëjtë. Haradinaj kishte pohuar se Maxhuni ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.

Haradinaj ishte kritikuar për këtë vendim, i cili ishte marrë pak pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe ishte një nga vendimet e tij të fundit të tij si kryeministër.

Ndër reagimet e para ishte ai i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që kishte dalë e para në zgjedhje dhe së bashku me LDK-në dhe synon ta formonin qeverinë e re të Kosovës. Kjo parti shprehej se emërimet në AKI në atë periudhë ishin tё jashtëligjshme dhe se rastin do ta dërgonin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Reagime pati edhe nga shoqëria civile. Instituti kosovar për Drejtësi, IKD, që vazhdimisht monitoron çështjet gjyqësore dhe juridike, konstatonte se vendimi i kryeministrit në largim ishte i jashtëligjshëm.

/Gazeta Sinjali/