Deputetja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Facebook, ka ironizuar me informacionin e rremë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Xhamajkës.
Sipas saj, lajmi për njohjen e shteti të Xhamajkës është “Fake news i radhës” si dhe e gjithë kjo është “një tekë e presidentit Thaçi për tu ngutur e për të treguar suksesin e veprimeve të tij në politikën e jashtme”.
“Rasti i fundit i (mos)njohjes nga Xhamajka nuk është asgjë tjetër, pos një teke e Presidentit të vendit të ngutet dhe tregojë suksesin e veprimeve të tij në shërbimin e jashtëm, në ditën kur Ministri i Jashtëm shkarkoi konsujt e emëruar jashtëligjshëm në këtë dikaster”, ka shkruar ajo.
Ndërsa, shkruan se nuk i ka bërë nder aspak ambasadores Vlora Çitaku.
“Presidenti nuk i bëri nder aspak Ambasadores Çitaku, në fakt, ai e ekspozoi atë keqas para strukturës së re politike në Kosovë. Ai duhet të marrë këtë “mësim” dhe ta kuptojë se çfarë mund të ndodhë me vendin nëse e përdor të njëjtën politikë në vazhdimësi edhe në dialogun me Serbinë dhe komunikimin paralel me partnerë tjerë ndërkombëtarë”, ka shkruar mëtutje Kusari./Gazeta Sinjali/