Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka shpërndarë në llogarinë e saj në Facebook një video të shkëputur nga seanca e Kuvendit e qershorit të këtij viti, ku kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaronte se nuk do t’i ndryshojë qëndrimet lidhur me mini-shengenin, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas saj, Hoti çdo dy muaj po i ndryshon qëndrimet, duke vepruar kundër asaj çfarë ka deklaruar më parë.
Kusari-Lila ka hedhur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Hotit, duke e quajtur jokredibil, për shkak të deklaratave të tij.
“Shenzheni e mijëra vende të punës humbën, mini-shengeni u nënshkrua me bindjen se duhet të realizohet. Kaq për kredibilitetin e Avdullah Hoti për fjalën e tij të folur dhe qëndrimet e tij publike për çështje të interesit shtetëror”, ka shkruar deputetja Kusari-Lila.
Më tej, ajo ka shtuar “Më mirë të isha unë e gabuar në qershor sesa të jemi si shtet të mashtruar nga ata që pretendojnë të na udhëheqin pa legjitimitet”. /Gazeta Sinjali/