image Kusari-Lila: Greva është politizuar skajshmërisht

Politikë

Kusari-Lila: Greva është politizuar skajshmërisht

news image

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi në seancë se greva në arsim është politizuar skajshmërisht si proces.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për grevën, ajo tha se kjo është vërejtur kur SBASHK-u ka deklaruar se përfshirja e Avokatit të Popullit në këtë proces është bërë për t’i përçarë sindikatat.

“Përpjekjet e qeverisë për të gjetur zgjidhje janë të vazhudueshme, por procesi skajshmërisht është politizuar. Kjo u vërejt kur SBASHK-u tha se involvimi i Avokatit të Popullit është institucion që ka hyrë në rrugën e shantazheve për t’i përçarë sindikatat”, u shpreh Kusari-Lila.

Mes tjerash, ajo pyeti se si ka mundësi që SBASHK-u thotë se ende nuk e ka parë Projektligjin e Pagave, derisa kërkesa e tyre kryesore para se të hyjnë në grevë ishte që mësimdhënësit të trajtohen dinjitetshëm në Ligjin e Pagave.

“Tema të cilën po diskutojmë sot do të duhej të ishte përmbyllur deri më tani. Sot po bëhen 3 javë që fëmijët po presin t’u kthehen bankave shkollore. Ky vit do të duhej të fillonte krejt ndryshe. Është viti i parë që përballja me pandeminë po luftohet si duhet. Por, ja që fatkeqësisht fëmijët po përballen me një situatë që as nuk e kanë shkaktuar e as nuk e kanë krijuar, megjithatë po i bartin pasojat”.

“Jemi të vetëdijshëm se e drejta për grevë është e garantuar me ligj dhe pjesëmarrja me të është vullnetare, por sa herë që këtë të drejtë e shfrytëzojmë duke i dëmtuar të tjerët, në këtë rast fëmijët, atëherë e keqpërdorim atë të drejtë”, tha Kusari-Lila.

“Në maj të vitit 2022, kërkesa e SBASHK-ut përveç shtesave prej 100 eurove  ishte që mësimdhënësit të vendosen aty ku e meritojnë në Ligjin e Pagave. Sot e kemi udhëheqjen e SBASHK-ut që thotë se nuk e kanë pasur rastin të shohin Projektligjin e Pagave. Si mund të diskutoni për një çështje bazike e cila ka qenë boshti i kërkesës para se të hyjnë në grevë, kur ata sot që ka javë të tëra që Projektligji për Paga është në diskutim publik, thonë që nuk e kanë parë?”, përfundoi shefja e deputetëve të VV-së.

/GazetaSinjali/