Masat e paralajmëruara për Kosovën nga Bashkimi Evropian po vlerësohen se janë bërë për fajin e politikave të “pamenduara” nga kryeministri Albin Kurti. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë Kosovën dhe Serbinë.
Nga opozita thonë se Kosova s’ka qenë asnjëherë në situatë më të rëndë politike se sa sot, ndërsa kërkojnë të gjendet një zgjidhje tjetër për situatën e krijuar në veri të vendit.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë dy shtete që janë në proces të dialogut.
Ajo thotë se institucionet e Kosovës kaherë i kanë prezantuar brengat në raport me Serbinë, por që nuk janë ndërmarrë masa për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe tendencës për ta larguar Serbinë nga Rusia.
“Masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian paraqesin në esencë pabarazinë elementare të trajtimit nga ana e Bashkimit Evropian të dy vendeve të cilat janë në proces të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Është bërë një kohë që ne kemi prezantuar brengat tona në raport me njëanshmërinë qoftë të ndërmjetësit apo edhe të procesit duke u akomoduar shumë e shumë kërkesa të Serbisë në një kontekst të zhvillimeve gjeopolitike për ta tërhequr Serbinë më shumë afër vetes për ta larguar nga Rusia”, ka deklaruar ajo.
Shefja e deputetëve thotë se këto masa mund të ndikojnë edhe tek shtetet tjera që duan ta shtrijnë sovranitetin në territorin e tyre. Ajo ka përmendur edhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe mediave.
“Përkundër që pamë zhvillimet e vazhdueshme edhe këto të fundit në raport me ngjarjet në veri edhe përgjegjësit që u panë dukshëm, përfshi edhe sulmet jo vetëm ndaj ushtarëve dhe policisë por edhe ndaj mediave të lira dhe deklaratat e presidentit Vuçiq që në njëfarë mënyre arsyeton sulmet në fjalën e lirë dhe në mediat, përfshi sulmet fizike, prapë BE e ndjen se është shumë e lehtë të ndikohet në Kosovën apo në presion mbi Kosovën në masa të cilat siç thonë ata do të jenë në periudhë të shkurtër dhe jo me efekt afatgjatë në rast se ka ndryshim në terren, gjë që nuk është vetëm në ndikim të masave por në fakt vendosja në një trajtim të sistemit të vlerave që është dekurajuese për demokracinë, është dekurajuese për shtetet të cilat mundohen të përmirësojnë funksionimin e brendshëm e këtu është edhe specifika e shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e republikës dhe ruajtja e ligjshmërisë së proceseve siç është ai zgjedhor”, thotë Kusari-Lila. /EO