Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, i cili e falënderoi atë për kontributin dhe rolin e domosdoshëm të NATO-s për çlirimin dhe sigurinë e Kosovës.
Ai e informoi Goffus për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët në komunat në veri të Kosovës dhe tha se është i angazhuar për de-eskalim dhe normalizim.
“Kosova me Forcën e saj të Sigurisë, të trajnuar e orientuar nga perëndimi duhet të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s sa më shpejt që është e mundur”.
“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar. Megjithatë, masat negative të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, që ka sanksionuar agresionin rus në Ukrainë dhe që është në harmoni me politikën e jashtme të BE-së, kanë krijuar asimetri në dialog”, tha kryeministri.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e siç tha ai, ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës.