Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve në Amerikë që ta votojnë Joe Biden për president në zgjedhjet presidenciale, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në profilin e tij në Facebook, Kurti është shprehur se një votë për Biden, është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.
“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishte ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës” ka thënë Kurti.
Tutje, ai thotë se një fitore e Biden-it do të kishte një ndikim pozitiv në të dy anët e Atlantikut.
Zgjedhjet në SHBA do të mbahen më 3 nëntor. /Gazeta Sinjali/