image Kurti përgjigjet: Nuk besoj që luftëtarët e UÇK-së janë kriminelë

Politikë

Kurti përgjigjet: Nuk besoj që luftëtarët e UÇK-së janë kriminelë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili e pyeti atë se pse nuk kishte guxim t’i tregonte kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq se kush ka kryer krime.

Krejt kjo erdhi pasi Kurti pas darkës në Bruksel tha se “kriminelët e luftës duhet të largohen nga Ballkani”.

“Pa numër herë edhe në këtë Kuvend unë kam folur për kriminelët e luftës dhe paqes, nuk e kam thënë për herë të parë në Bruksel, po të thuhej aty për herë të parë do të mund të bënte ndonjë nënpyetje, Serbia po e din për kënd e kam pasë fjalën, Brukseli e din për kënd e kam pasë fjalën, s’di pse disa në Kosovë po lajmrohen kot si kot. Pra, unë nuk besoj që ka luftëtarë të UÇK-së që janë kriminelë të luftës. Po unë besoj që kriminelë të luftës nuk ka vetëm në Serbi, ka edhe në veri të Kosovës edhe në Bosnje. Unë këtu shoh një lloj paaftësie për të na bërë kritike. Ne kemi problem të madh me juve sepse jeni të paaftë për të bërë kritikë”, tha Kurti në Kuvend.

Kurti në Bruksel tha se ka ende kriminelë të luftës e të paqes që kanë pozita të rëndësishme në politikën e Ballkanit.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecnin sa më shpejt nëse i përmbahen 3 vlerave: demokratizimi, pra të luftohen autokracitë 2 sundiimi i ligjit të luftohen oligarkitë dhe 3 ballafaqimi me të kaluarën, pra të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës”.

“Edhe më tej në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në skenën politike, kjo duhet të marrë fund. Kështu krijohet më shumë shpresë dhe nevojë për bashkëpunim i cili është afatgjatë dhe i drejtë”.

/GazetaSinjali/