image Kurti: Edhe më tej në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në skenën politike

Politikë

Kurti: Edhe më tej në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në skenën politike

news image

Kryeministri Albin Kurti është prononcuar për media pas darkës tradicionale me liderët e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, transmeton Gazeta Sinjali.

Kurti pas këtij takimi ka thënë se pret që dialogu të rinisë në mesin e qershorit.

“Dialogu do të nisë andej nga mesi i qershorit. Nuk mund ta them saktësisht, por do të ketë takim për të theksuar se si do të vazhdohet tutje, cili do të jetë kapitulli i ri. Nuk mund të vazhdojmë ashtu siç ishte këto vitet e fundit dhe me qeveritë e kalura. Duam dialog të përgatitur mirë, me palë të barabarta dhe thelbi duhet të jetë zgjidhja e cila e ka emrin në formën e togfjalëshit të cilën jo vetëm presidenti Joe Biden por edhe shumë liderë tjerë e kanë thënë, njohje reciproke”, ka shtuar Kurti para gazetarëve, transmeton Gazeta Sinjali.

Sa i përket formatit të dialogut, Kurti ka thënë se do të jetë takim mes tij dhe presidentit serb Vuçiq.

Sa i përket takimit në Bruksel, Kurti tha se e vuri theksin te liberalizimi i vizave

“Darka u bë që sa më shpejt vendet të avancojnë në integrimin evropian. E vura theksin te nevoja e liberalizimit të vizave, por jo vetëm kaq. Kemi nevojë për investime në ekonomi që e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisim punësimin”, shtoi ai.

Kurti shtoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përparojnë nëse i përmbahen tri vlerave: demokratizimit, sundimit të ligjit dhe ballafaqimit me të kaluarën.

Sipas tij ka ende kriminele të luftës e të paqes që kanë pozita të rëndësishme në politikë.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecnin sa më shpejt nëse i përmbahen 3 vlerave: demokratizimi, pra të luftohen autokracitë 2 sundiimi i ligjit të luftohen oligarkitë dhe 3 ballafaqimi me të kaluarën, pra të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës”.

“Edhe më tej në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në skenën politike, kjo duhet të marrë fund. Kështu krijohet më shumë shpresë dhe nevojë për bashkëpunim i cili është afatgjatë dhe i drejtë”.

“Dakordimi ishte që takimi i radhës do të mbahet diku në Ballkan dhe njëri prej vendeve do të jetë vendi nikoqir”.

“Unë theksova që Ballkani Perëndimor është në Evropë por Bashkimi Evropian duhet të bëhet Evropë”.

“Unë besoj që BE-ja duhet të mbrohet në shekullin XXI sepse është projekti më i rëndësishëm i paqes, progresit dhe mirëqenies pas Luftës së Dytë Botërore”, shtoi tutje Kurti. /Gazeta Sinjali/