image Kurti tregon çka bisedoi me Kurz për mërgatën në Austri

Politikë

Kurti tregon çka bisedoi me Kurz për mërgatën në Austri

news image

Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte në mesin e pjesëmarrësve në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Vjenë.

Kurti atje zhvilloi takim edhe me kancelarin austriak Sebastian Kurz, me të cilin ai thotë se biseduan për disa çështje.

Mes tjerash Kurti tha se me Kurz shqyrtuan mundësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, si dhe rolin që mund të luajë mërgata në shtimin e urave midis dy shteteve.

Po ashtu, kryeministri ka njoftuar se në fillim të vitit të ardhshëm, do të ketë një samit biznesi mes Kosovës e Austrisë.

“Pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, më priti në takim Kancelari i Austrisë, z. Sebastian Kurz, në zyren e tij. Fillimisht e falenderova Kancelarin Kurz për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Austrisë për vendin tonë, qysh prej pranimit të studentëve dhe diplomave në vitet e ‘90-ta deri te mbështetja në menaxhimin e pandemisë Covid-19. Biseduam për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy republikave tona, raportet në rajon dhe integrimet evropiane.

Në veçanti shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, nevojën e Kosovës për investitorë nga Austria, si dhe rolin që mund të luajë mërgata jonë në shtimin e urave midis dy shteteve dhe popujve tanë. Në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi një samit të përbashkët biznesi Kosovë-Austri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

/GazetaSinjali/