Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me 12 gazetarët ukrainas që po banojnë në kryeqytetin e vendit, në kuadër të programit të mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Journalists-in-Residence.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti u uroi mirëseardhje Lyudmilas, Serhit, Marinas, Victoriias, Lyudmilas, Irynaas, Oksanas, Katerynas, Lyudmilas, Olgas, Anastasiias dhe Olenas dhe vajzës së saj gjashtë vjeçare që së fundmi i është bashkuar në Prishtinë. “Është nder dhe kënaqësi e veçantë të ju takoj në këtë ditë feste dhe pushimi”, u shpreh kryeministri Kurti, duke shtuar se ai dhe populli i Kosovës bashkëndjejnë me dhimbjet e humbjet e tyre dhe se ndjejnë detyrë humane, qytetare dhe institucionale që të ju ndihmojnë. Ai i falënderoi për qëndresën në Ukrainë, ku partnerët e dy gazetareve janë në front të luftës, si dhe për punën e tyre në Kosovë nëpërmjet artikujve të ndryshëm gazetaresk.
Gazetarët shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për mbështetjen dhe mikpritjen e ngrohtë që u ka ofruar Kosova dhe populli i saj. Kjo i ka bërë të ndjehen si në shtëpi në këto kohë të vështira për ta, popullin dhe vendin e tyre. Ata ndanë me kryeministrin nga përvojat e tyre në Kosovë dhe angazhimet profesionale.
Kryeministri Kurti u uroi Krishtlindjet Ortodokse gazetarëve ukrainas me besim ortodoks që festojnë edhe sot. Krishtlindja ortodokse këtë vit për herë të parë po shënohet në dy data, me 25 dhjetor dhe 7 janar, me vendim të Kishës Ortodokse të Ukrainës (OCU) pas invazionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, zbatues të programit JiR, dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medies (ECPMF).