image Kurti takohet me Lajçakun: Të angazhuar për dialog parimor e të balancuar, me njohje reciproke

Politikë

Kurti takohet me Lajçakun: Të angazhuar për dialog parimor e të balancuar, me njohje reciproke

news image

Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka folur për angazhimin në një vit qeverisje dhe rikonfirmoi, që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë.

Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, thuhet se është biseduar edhe për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri veçoi faktin se jemi dy javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në komunikatë.

/GazetaSinjali/