Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin, kanë pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolovan.
Kurti u është ankuar ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësueses së BE-së për veprimet e presidentit Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re.
“Në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, Kryeministri në detyrë Kurti, theksoi se veprimet e fundit të Presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik. Ai shtoi se, si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar. Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”, thuhet në komunikatë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti i ka njoftuar mysafirët se sa po respektohen vendimet e qeverisë për parandalimin e koronavirusit dhe për Pakon Fiskale Emergjente, shkruan Gazeta Sinjali.
“Fillimisht, Kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi mbarëvajtjen e vendimeve të Qeverisë për menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 dhe me situatën aktuale me numrin e të infektuarëve si dhe gjendjen e tyre. Ai po ashtu i njoftoi se pas Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria në detyrë po zhvillon përgatitjet e nevojshme për hartimin e pakos së dytë financiare, e cila do të ketë për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë pas goditjes nga pandemia”, njofton Zyra e Kurtit. /Gazeta Sinjali/