Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se po të ishte në pushtet partia e tij do t’i mbronte luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Thaçi bashkë me udhëheqësit e LDK-së e krijuan Gjykatën Speciale. Sot nuk mund ta ndalim atë Gjykatë. Po të jetë në Qeveri Vetëvendosje do t’i mbronim luftëtarët e UCK-së. Ata që janë korruptuar e shantazhuar nuk mund ta mbrojnë luftën”, tha ai në një video-konferencë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
“Veteranët e luftës duhet ta kenë të qartë se i vetmi subjekt që i mbron është VV. PDK nuk i mbron se e ka hallin e pasurimit. Vetëm VV i mbron, është subjekti më patriotik që e çon Kosovën drejt bashkimit me Shqipërinë dhe BE-në”, shtoi ai.
Sipas tij, zgjidhja për t’i shmangur rreziqet që i kanosen Kosovës nga Qeveria Hoti, janë zgjedhjet.
“Zgjidhja janë zgjedhjet dhe do të ketë shumë shpejt sepse kjo qeveri nuk ka fuqi as t’i miratojë ligjet në Kuvend”.
“LDK i hoqi vijat e kuqe për PDK-në – ky është një gjest qesharak. Po edhe sikur të bëhen të dyja bashkë, ne do t’i mundim”.
“Gjatë katër muajve ne treguam se dimë, duam dhe mundemi, qytetarët e panë këtë dhe e vlerësuan. Le të punojmë sa më fort dhe të bëhemi gati për një fitore”./Gazeta Sinjali/