Kryeministri Albin Kurti në foltoren e Kuvendit ka folur për grevën e mësimdhënësve, duke thënë se ai dhe ministrat e tij kanë qenë të hapur për diskutime të problemeve.
Por, ai tha se kërkesat e sindikatave aktualisht përbëjnë shantazh dhe kërcënim derisa Ligji i Pagave është në proces të hartimit.
“Përballje me inflacion po, por kërcënim apo shantazh se “i dua kaq para derisa të kalon projektligji” për një kategori të caktuar. Ky lloj dizajnimi i kërkesës është i papranueshëm”.
Kurti tha se në pakon për përballje me inflacionin përfshihen edhe këto kategori deri në miratim të Ligjit.
“Nuk ka munguar as bashkëbisedimi, as dialogu social. Me krerët e SBASHK-ut është takuar ministrja, dhe me BSPK-në jam takuar unë. Takimi i fundit që pata nuk ishte me ndonjë degë të sindikatës, por me këshillin grevist, të cilin unë i kam ftuar. S’është mungesa te komunikimi në këtë krizë duhet të dalim përmes pakos që e mundëson përballimin me inflacion, jo përmes kërkesave partikulare derisa të votohet ligji”
Kurti tha se i kanë marrë për bazë jo vetëm të një sindikate dhe se janë përpjekur që të t’i akomodojnë ato.
“S’kam inat dhe urrejtje ndaj asnjë sindikalisti”, tha Kurti në Kuvend.
Ai gjithashtu mohoi se ka pasë marrëveshje apo përkrahje të ndërsjellë në të kaluarën me SBASHK-un.