image Kurti: Serbia të kërkojë falje dhe të distancohet nga Serbia e Millosheviqit, vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi

Politikë

Kurti: Serbia të kërkojë falje dhe të distancohet nga Serbia e Millosheviqit, vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe zëvendësi i tij, Franko “Frenki” Simatoviq, u dënuan sot me nga 12 vjet burgim për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990, raporton Gazeta Sinjali.

Kurti ka thënë se Stanishiq dhe Simatoviq janë të njëjtët persona që udhëhoqën strukturat të cilat kryen gjenocid në Kosovë.

“Dy figura famëkeqe të regjimit të Millosheviqit, Jovica Stanishiq & Franko Simatoviq, u dënuan me 12 vjet burg secili për ndihmën dhe mbështetjen e krimeve të kryera nga një njësi speciale e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb, Beretat e Kuqe, gjatë luftës në Bosnje në 1992. Këta janë të njëjtët persona, strukturat e të cilëve pas Bosnjës kryen gjenocid në Kosovë”, shkroi ai në Twitter.

I pari i ekzekutivit tha se Serbia duhet t’i pranojë krimet që i ka kryer dhe të kërkojë falje për to, vetëm atëherë, sipas Kurtit, mund të fillojë pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë.

“Serbia sot duhet të përballet me të kaluarën e saj, të pranojë të vërtetën, të kërkojë falje & të distancohet nga Serbia e Millosheviçit. Vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi”, shtoi ai.

Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit, të tilla si: përndjekjet, vrasjet, dëbimet dhe transferimet me forcë.

Ndërsa të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili njihet si kasapi i Ballkanit.

Millosheviq është gjykuar po ashtu në Hagë, por ka vdekur përpara se t’i shqiptohej dënimi, në vitin 2006./Gazeta Sinjali/