Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë për media bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për të shpalosur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Kurti ka thënë se propozimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë është barrë e rëndë për t’u përballur nga qytetarët, raporton Sinjali.
Ai ka akuzuar edhe qeveritë e kaluara për gjendjen në të cilën ndodhet sot Kosova, pasi sipas tij prioritet i kanë dhënë prodhuesve të rajonit.
“Të hënën ZRRE e ka publikuar raportin për shqyrtimin e tarifave. Për fat të keq deri tash kemi dëgjuar interpretime të ndryshme. Si pasojë e krizës energjetikë, që ka shkaktuar rritjen e çmimit të energjisë dhe të avarive të KEK-ut, ZRRE përkitazi me kompetencat e saj, ka filluar me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave. ZRRE është e pavarur nuk mund të ndikohet, përfshirë edhe Qeverinë. Me vite janë mbajtur kosto fiktive. Heqja e bllok tarifave ka qenë gabim i madh, dëmet i kemi parë, posaçërisht tani. Fatura që po paguajmë është nga mosveprimi i dy dekadave. Institucionet kanë dështuar në të kaluarën se varësia për t‘u ngrohur nga energjia nuk është e qëndrueshme si praktikë.
Çmimet e tanishme se kriza do të zgjasë shumë përtej dimrit. Për të kufizuar nivelin e dëmeve. Qeveria ka shprehur gatishmëri që të vë subvencion deri në 75 milionë euro. Kriza është shtrirë te të gjithë pjesëmarrësit e sektorit. E kemi thënë edhe më herët, vlen të ritheksohet se janë dy faktorë që kanë bërë të kemi këtë krizë. Njëri është i jashtëm, Kosova një sasi e mbulon nga importi. Rrjedhimisht çmimet në bursat ndërkombëtare ishin të larta, ku të gjitha shtetet në Evropë u ballafaquan. Faktori tjetër është Kosova është lënë në mëshirë tregtarëve të energjisë. Politikbërësit e kaluar nëpërmjet veprimeve të tyre, shpesh edhe heshtjes, prioritet i kanë dhënë prodhuesve të tjerë të rajonit. Po të mos ishte vjedhur pamëshirshëm, gjendja me prodhim e me kapacitete do të ishte më ndryshe, e nuk do të kishte rënie të blloqeve. Nëse çmimi i energjisë do të rritej në mënyrë lineare, nuk do të ishim në këtë situatë, Pasi kjo nuk ka ndodhur, ZRRE ka dhënë zgjidhjen financiare. Çmimi i propozuar nga ZRRE është barrë e rëndë për t’u përballur nga qytetari në Kosovë”, tha Kurti, raporton Sinjali.