image Kurti priti në zyrë prodhuesit e qumështit, flet për rëndësinë dhe mbështetjen e tyre

Kosovë

Përkrahja/ Kurti priti në zyrë prodhuesit e qumështit, flet për rëndësinë dhe mbështetjen e tyre

news image

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, priti në takim punë prodhuesit e qumështit.

Prodhuesit e qumështit ishin të përfaqësuar nëpërmjet, kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha, drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Ardian Purrini, kryetarit të Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Gani Durmishaj dhe anëtarit të Bordit të Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Lulëzim Aliu.

Ata e njoftuan Kryeministrin në detyrë z. Kurti dhe ministrin në detyrë z. Bislimi për specifikat dhe kapacitetet e industrisë e të prodhuesit vendor të qumështit. Kjo industri ka rreth 2500 punëtorë në zinxhirin prodhues, kurse mbi 3000 punëtorë në atë të shpërndarjes. Për fat të keq, kjo është prej industrive më të prekura nga pasojat e COVID-19, për shkak të cilave është duke vepruar vetëm me 30% të kapaciteteve të saj. Përfaqësuesit e prodhuesve të qumështit bënë thirrje për përkrahjen e prodhuesve vendorë duke i konsumuar prodhimet e tyre.

Kryeministri në detyrë theksoi se përkrahja e prodhimeve vendore është pjesë integrale e programit të Qeverisë sikurse edhe i zotimeve elektorale, dhe iu bashkëngjit thirrjes për blerjen dhe konsumimin e prodhimeve vendore si parim por edhe si nevojë për mbështetje të prodhuesve vendorë në kohë pandemie. Mbështetja e këtyre prodhueseve nëpërmjet konsumimit të prodhimeve vendore është shumë e rëndësishme, sidomos në kohë pandemie. Ata do ta kenë vëmendjen e institucioneve Qeverisëse gjatë hartimit dhe zbatimit të pakos së dytë ekonomike, atë të rimëkëmbjes.

Gjatë takimit po ashtu u diskutua edhe për format tjera të përkrahjes së prodhuesve vendor nga Qeveria dhe mundësitë e reja që mund të krijohen në tregun e kësaj industrie gjatë dhe pas rimëkëmbjes ekonomike./ Gazeta Sinjali/