image Kurti pritet të takojë sot presidentin Thaçi dhe liderët e partive politike

Kosovë

Kurti pritet të takojë sot presidentin Thaçi dhe liderët e partive politike

news image

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pritet të takojë sot gjatë ditës presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe liderët e partive politike.

Takimi pritet të mbahet në ora 10:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se në këtë takim do të diskutohet për pandeminë dhe për atë se çfarë mund të bëjnë bashkë në këtë situatë.

“Unë presidentit sot ja kam dërguar dy letra, ia kam dërguar edhe një tjetër, presidentit dhe të gjithë krerëve të partive politike për një takim të hënën në ora 10:00, lidhur me koronavirusin se çfarë do të mund të bëjmë bashkë. Nëse janë kundër koronavirusit është absurde të mos vijnë”, kishte deklaruar Kurti të premtën.

Një ditë më vonë një ftesë të tillë e refuzoi ish-kryeministri dhe kreu i Alëancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Kurti, Haradinaj tha se asnjëherë nuk do të marrë pjesë në tryeza të tilla dhe duke e quajtur joserioz e mashtrues kryeministrin Kurti.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë.

Ish-zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së. Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, dhe që dy herë radhazi e shkel kushtetutën.

Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk ka qëndrim lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për t’u mbledhur në një tryezë diskutimi lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media, tha se sapo të merret ndonjë vendim lidhur me këtë takim, do t’i publikojnë qëndrimet e tyre.

Ndryshe nga PDK-ja, LDK dhe AAK kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë takim./Gazeta Sinjali/