image Kurti pret në takim Cramonin, flasin edhe për dialogun me Serbinë

Politikë

Kurti pret në takim Cramonin, flasin edhe për dialogun me Serbinë

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, këshilltarin e saj, Paolo Bergamaschi dhe drejtorin e Fondacionit Heinrich Boll Stiftung për Kosovë, Simon Ilse.

Zyra e Kryeministrit njofton se ky takim nisi me bisedën për rëndësinë e tranzicionit në energji të pastër dhe për mbrojtjen e lumenjve.

Von Cramon citohet të ketë thënë se e çmon angazhimin e kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e projekteve të energjisë së ripërtëritshme.

“Kryeministri Kurti foli për nevojën e një raporti fizibiliteti në fushën e energjisë dhe shtoi se është mirë të ketë një konsensus shoqëror e politik, para se të vendoset për këtë çështje kapitale që prek jetën e brezave të ardhshëm”, thuhet në kumtesë.

Kurti dhe Cramon bëhet e ditur se kanë diskutuar edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe katër propozimet e paraqitura nga kryeministri Kurti.

Lidhur me çështjen e të pagjeturve, Kurti ritheksoi se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen edhe të varrezave të tjera që dyshohet se janë në Serbi.

Kurti dhe von Cramon u pajtuan se dialogu, siç e quan Zyra e Kryeministri, “i ri” për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një proces konstruktiv dhe i qartë, nga i cili përfitojnë qytetarët./Gazeta Sinjali/