image Kurti për "Süddeutsche Zeitung" : Serbia duhet të pranojë realitetin - Kosova është shtet i pavarur

Kosovë

Deklaratë/ Kurti për “Süddeutsche Zeitung” : Serbia duhet të pranojë realitetin – Kosova është shtet i pavarur

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së fundmi ka dhënë një intervistë për të përditshmen gjermane, “Süddeutsche Zeitung”.

Kurti për gazetën gjermane është deklaruar për shumë tema, që nga dialogu Kosovë – Serbi, rolin e Richard Grenell në dialog, marrëveshjen për lidhjen hekurudhore e deri te ideja e bashkimit me Shqipërinë, transmeton Gazeta Sinjali.

I pari i qeverisë ka thënë se nuk është kundër dialogut me Serbinë, por që ai duhet të zhvillohet me parime që janë të obligueshme për të dy palët.

“Serbia duhet të pranojë realitetin: Kosova është shtet i pavarur dhe ne nuk mund të kthehemi në kohën e Millosheviqit. Sa më parë që e pranojnë këtë, aq më mirë për të dy palët”, citohet të ketë thënë fillimisht Kurti.

Teksa në lidhje me idenë e bashkimit me Shqipërinë, ai tha se është mirë t’i lë njerëzit të zgjedhin.

“T’i lësh njerëzit të zgjedhin është diçka tjetër se sa të sillesh si gjeneralët e Luftës së Parë Botërore, të cilët qëndronin mbi hartat e tyre. Gjithçka do të duhej të ndodhte në mënyrë paqësore, demokratike dhe transparente. Atëherë është në rregull”, ka thënë kryeministri Kurti.

I pyetur se nëse Kosova hyn në Bashkimin Europian në vitin 2030, cili flamur do të valojë mbi ndërtesën e qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se mendon se do të valojë flamuri europian.

“Mendoj se do ta shohim flamurin europian – dhe çka është më e rëndësishme: do të shohim njerëz që kanë punë, mirëqenie dhe do të udhëtojnë të lirë në kontinentin europian”, citohet të ketë thënë ai.

Më tutje, Kurti ka komentuar edhe fjalët rreth jetëgjatësisë së qeverisë, ku ka thënë se “guxim domethënë të mos i dorëzohemi këtij pesimizmi të plogët”./Gazeta Sinjali/